Fjalimi në Konferencën mbi “Roli dhe Bashkëpunimi i OJQ-ve me Institucionet Lokale”Sot, ishte një nder dhe kënaqësi të jemi pjesë e këtij eventi, ku diskutuam mbi temën e rëndësishme “Roli dhe Bashkëpunimi i OJQ-ve me Institucionet Lokale”

Në këtë ngjarje ishin të pranishëm Kryetarja e Komunës, znj. Ardita Sinani, Kryetari i KKSH, z. Nevzad Lutfiu, Drejtorin e LEAP Kosovo, z. Qendrim Hoxha, Koordinatorja për Preshevë, znj. Fatime Qerimi, përfaqësues të Komunës së Fushë Kosovës, z. Ali Ismaili,Teologu Ardian Sejdiu si dhe përfaqësues të shoqatave nga vendi dhe rajoni.

Kisha nderin dhe kënaqësinë të prezantoja perms fjalimit tim drejtuar te pranishmeve disa nga projektet e Shoqatës “Vizioni për Zhvillim dhe Kooperim” (VZHK), si dhe punën tonë që nga themelimi në vitin 2017 deri në ditët e sotme.

VZHK është e angazhuar për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zhvillimin e komunitetit tonë.

Deri tani, kemi realizuar projekte të rëndësishme në fusha të ndryshme si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe projekte sociale, gjithmonë në bashkëpunim të ngushtë me institucionet lokale, të cilat janë partnerë të rëndësishëm.

Një nga projektet më të spikatura është Kursi i Rrobaqepsisë, realizuar në partneritet me institucionet lokale, që ka aftësuar 80 gra dhe vajza të reja. Ky projekt ka ofruar mundësi për punësim dhe vetëpunësim, duke pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në fuqizimin e grave dhe vajzave, dhe ka kontribuar në zhvillimin ekonomik të rajonit.

Në periudhën e COVID-19, realizuam një projekt të rëndësishëm me mbështetje nga Ambasada e Turqisë , TIKA-në, duke shpërndarë 25,000 maska për qytetarët, duke kontribuar në mbrojtjen e shëndetit të tyre. Gjithashtu, përmes kursit të rrobaqepsisë, kemi dhuruar 2,000 uniforma për nxënësit nga Presheva dhe Bujanoci.

Po ashtu, këtë vit, në vitin 2024, kemi dhuruar 700 çanta dhe paisje shkollore për nxënësit e shkollave fillore në Preshevë dhe Bujanoc, si dhe 19 bursa për studentët nga këto dy komuna.

Një projekt tjetër i rëndësishëm është ai në sektorin e bujqësisë, ku kemi dhuruar 500 sera për bujqit e komunave të Bujanocit dhe Preshevës, për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të rritur prodhimin bujqësor.

Gjithashtu, jemi duke punuar për vitin 2025 per realizimin e projekteve të tjera infrastrukturore, si Shkolla e IT-së dhe Inovacionit, një çerdhe për fëmijë, dhe projekte për fëmijët me nevoja të veçanta per Bujanoc dhe Preshevë. Këto projekte janë të rëndësishme për zhvillimin e rinisë dhe përkujdesjen për ata që kanë nevoja speciale.

Bashkëpunimi i ngushtë me institucionet lokale ka qenë dhe do të mbetet kyç për suksesin e projekteve tona. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku me këto institucione për të realizuar projekte që do të kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët tanë.

Po ashtu, jemi të hapur për të rinjtë dhe grupet që dëshirojnë të aplikojnë për projekte të ndryshme, të cilat mund të kenë ndikim pozitiv në komunitet. Shpresojmë që të vazhdojmë të ofrojmë mundësi zhvillimi për të gjithë ata që kanë ide dhe dëshirë për të kontribuar.

Një falënderim të veçantë për LDA_LEAP për të qenë pjesë e këtij eventi dhe Komunën për mbështetje dhe për bashkëpunimin.

25 dhjetor 2024